|
SEMINAR MBI STANDARDIN ISO/IEC 17020 |
|
|
Në datat 5 dhe 6 maj 2010, u zhvillua seminari dy ditor për implementimin e standardit ISO/IEC 17020, “Kriteret e Përgjithshme për operimin e tipeve të ndryshme të trupave që kryejnë inspektim”, në kuadër të projektit të bashkëpunimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë me Institutin Gjerman të Metrologjisë PTB. Lektor ishte z. Dietmar Steindl nga BEV Austri, specialist i mirënjohur dhe me shumë përvojë në fushën e metrologjisë.
Standardi ISO/IEC 17020 specifikon kriteret e përgjithshme për kompetencën e trupave të paanshme që kryejnë inspektim pavarësisht nga sektori që ai mbulon. Ai gjithashtu, specifikon kriteret e pavarësisë së trupës inspektuese. Ky standard është i përcaktuar të përdoret nga trupat inspektuese dhe trupat e akreditimit të tyre, si dhe nga trupa të tjerë që kanë lidhje me njohjen e kompetencës të trupave inspektuese. Kjo sëri kriteresh duhet të interpretohet kur aplikohet në sektorë të veçantë sikurse është inspektimi që punonjësit e Drejtorisë së Inspektimit Metrologjik në DPM realizojnë në veprimtarinë e tyre të përditshme. Standardi ISO/IEC 17020 nuk mbulon laboratorët e testimit, trupat çertifikues ose deklarimet e prodhuesve për konformitetet, kritere të cilat përmbahen në standarde të tjera Europiane të serisë EN 45 000.
Ne këtë seminar merrnin pjesë inspektorët metrologë të Drejtorisë së Inspektimit Metrologjik, specialistë të Drejtorisë së Metrologjisë Shkencore dhe Industriale dhe specialistë të Drejtorisë së Metrologjisë Ligjore.
Ky trajnim i shërben procesit të akreditimit si trupë inspektuese të Drejtorisë së Inspektimit Metrologjik në DPM.
|