|
“Konferenca e Hapjes”e Projektit të Binjakëzimit të BE |
|
|
Në datën 01 Prill 2011, në ambientet e Tirana International Hotel, u zhvillua “Konferenca e Hapjes”e Projektit të Binjakëzimit “Forcimi i infrastrukturës metrologjike dhe arritja e njohjës ndërkombëtare”, të financuar nga Bashkimi Europian në vlerën 1 mln Euro.
Konferenca fillimisht zhvilloi një seancë përshëndetjesh ku fjalën e hapjes e mbajti Z. Nasip Naço, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Shkëlqesia e Tij Ettore Sequi, Ambasador i Delegacionit Europian në Shqipëri.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konsideroi Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë si një nga ndërvepruesit teknikë kryesorë të Shqipërisë me botën e industrializuar, si dhe theksoi se “Asistenca e BE-së nëpërmjet këtij projekti do jetë një mbështetje e rëndësishme për ngritjen e nivelit teknik, perafrimin e plotë të kuadrit ligjor në linjë me standardet dhe praktikat europiane, forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe sigurimin e njohjes të matjeve të realizuara në vendin tonë”.
Në fjalën e hapjes Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi përmendi rëndësinë e metrologjisë dhe kalibrimit për tregun e brendshëm Europian, duke theksuar se “Pa një sistem kombëtar që te sigurojë ndjekjen dhe respektimin e të njëjtave rregulla matjeje nga prodhuesit për produktet e tyre, disa prodhues mund të favorizohen padrejtësisht, konsumatori do të mashtrohet dhe prodhuesit lokalë nuk mund të jenë konkurrues në një treg si ai i BE-së”.
Z. Gledjon Rehovica, Drejtor i Përgjithshëm i DPM-së dhe Z. Peter Ulbig, Drejtues i Projektit të binjakëzimit vijuan me prezantimin e komponentëve të Projektit dhe me prezantimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë.
Objektivi i përgjithshëm i Projektit “Forcimi i infrastrukturës metrologjike dhe arritja e njohjës ndërkombëtare” është minimizimi i barrierave teknike në tregti dhe lehtësimi i integrimit të Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare, nëpërmjet rritjes së cilesisë të produkteve shqiptare, dhe si rrjedhojë rritjen e kapaciteteve eksportuese.
Projekti do të përforcojë shërbimet metrologjike kombëtare dhe do të asistojë Qeverinë Shqiptare në arritjen e standardeve Europiane në fushën e metrologjisë, si kërkohet dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ky projekt implementohet nga konsorciumi i përbërë nga Instituti Gjerman i Metrologjisë PTB, Instituti Federal Gjerman i Testimit dhe Kërkimit të Materialeve BAM, Zyra Federale Austriake e Metrologjisë dhe Survejimit BEV dhe Instituti Çek i Metrologjisë CMI.
|